Gjeneral Mullai: FA ka të gjitha kapacitetet për mbështetjen e forcave të rendit në monitorimin e situatës nga COVID-19

TIRANË, 22 mars/ATSH-A. Fortuzi/- Forcat e Armatosura kanë të gjiitha kapacitet e nevojshme për të mbështetur sipas nevojës forcat e rendit. Forcat e Armatosura janë të angazhuara dhe me furnizim me ushqime të personave në nevojë, veçanërisht atyre të prekur nga tërmeti, që e kanë të vështirë të lëvizin për tu furnizuar me ushqime.

Komandanti i Forcave Tokësore, Gjeneral Albert Mullai, gjatë një interviste televizive, sot, u shpreh se prej ditësh Forcat e Armatosura janë në terren për të mbështetur Forcat e Rendit.

“Situata është më  e qetë në Tiranë. Operacioni jonë ka vijuar prej ditësh. Forcat tokësore ka të angazhuar 30% të saj në këtë operacion të gjerë, jemi në pika kontrolli, në Shkodër, Lezhë, Kavajë, Tiranë, Durrës, Lushnjë, Fier e Vlorë. Prej dy ditësh mjetet e blinduara në Tiranë janë duke monitoruar zbatimin e masave të marra nga qeveria, për të minimizuar përhapjen e COVID- 19. Jemi në mbështetje të forcave të rendit sipas vendimit të qeverisë”,- thekson Mullai.

“Së pari dua ta theksoi se jemi në vijimësi në bashkëpunim me policinë. Kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer pas tërmetit të 26 nëntorit, por dhe në detyra të tjera. Puna jonë fillon sipas koordinimit që bëhet një natë më parë dhe më pas, sipas urdhrave operacionale për kryerjen e detyrës dhe për të ndihmuar njerëzit në këtë situatë të vështirë gjatë ditës”,- theksoi Mullai

“Uroj të mos kemi përkeqësim të situatës. Forcat e Armatosura kanë të gjitha kapacitete për të rritur prezencën e tyre, si në aspektin e mbështetjes së forcave të rendit, ashu dhe për detyra të tjera. Ne siç e keni parë jemi angazhuar në pika kontrolli, shpërndarje ndihmash për familjet në nevojë, që s’kanë mundësi ta furnizojnë veten e tyre, siç janë të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit. Kemi angazhuar ekipe të tëra mjekësh dhe ndihmës mjekësh në këtë për të dhënë kontributin tonë”,- tha ai.

“Armatosja është pjesë e procedurave standard. Çdo mjet ka një sasi armatimi që ulet ose rritet në varësi të situatës. Nga dje e kemi pa armatim mjetin. Kjo është një procedurë standarde. Kalimi në plane të reja bëhet çdo 24 -orë, por rishikohet çdo dy orë nëse është e nevojshme. Verifikojmë me kënaqësi që jo vetëm jemi të mirëpritur, por dhe të dëshiruar nga situata. Prezenca e FA rrit besimin te populli”,- tha Mullai.

“Respekti është rritur dita ditës karshi FA. Ne s’kemi pasur asnjë rast problematikë, ka një pjesë njerëzish që nxitojnë të kthehen në banesa kur mbyllet orari i lëvizjes dhe kanë mirëkuptimin tonë për këtë”,- shton ai.

“Siç e keni dëgjuar nga shpjegimet që ka dhënë Kryeministri deri në këtë moment në bazë të vlerësimit të situatës do ketë të njëjtën fashë orare (05:00-13:00), por kjo mbetet në varësi të asaj që do kemi nga intensiteti se si do shfaqet dhe virusi. Besoj që siç e shikoni dhe nga rruga, ditë për ditë po rritet mirëkuptimi i qytetarëve”,- tha Mullai.

“Ne aktualisht po punojmë sipas procedurave tona. Kemi shkëmbyer informacion me NATO, po ndjekim procedurat që po ndjek e gjitha vendet e NATO-s. Bëhet dezinfektimi i mjeteve kur hynë dhe dalim, si dhe i mjeteve mbrojtëse që kanë FA. Në 300 e ca forca jashtë vendit, po kryhet e njëjta procedurë, siguria është 100%”,- tha Mullai.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.