Dita e Novruzit/ Ambasada shqiptare mesazh solidariteti e afërsie për popullin italian

TIRANË, 22 mars/ATSH/ -Ambasada e Shqipërisë në Itali ka përcjellë një mesazh solidariteti e afërsie për popullin italian në Ditën e Novruzit.

“Një “Ditë e Re”, Dita e Nevruzit! Kjo ditë e shënuar për Komunitetin Bektashian, dita kur lind shpresa e ringjallja, bëhet mesazh solidariteti e afërsie për të gjithë, për fqinjin e dashur Italinë, për gjithë njerëzimin në këto momente të vështira që po kalon!”, thuhet në mesazhin e Ambasadës shqiptare në Itali.

“U shndërroftë në mundësi për të ringjallur vullnetin për të ndërtuar një botë akoma më të mirë!”, theksohet në mesazh.

Në mesazh Ambasada ka cituar edhe vargjet e poetit të shquar Naim Frashëri. “Thonë dimri na prishi, por s’na humbi dot për jetë, erdhi kjo dit’ e na gjeti, nuk e la dhenë të shkretë. Është dit’ e dashurisë, ditë e vllazërisë, Dit’ e mbarë e gëzimit, dit’ e bardh’ e miqësisë. O njeri, paskëraj kurrë fjalë të lig mos thuash, Po përshëndosh gjithë ç’ janë, thuaju: gëzuash, gëzuash!”

“Kurajo e shpresë, gjithçka do të shkojë mirë! Së bashku dot t’ia dalim!”, thekson Ambasada.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.