COVID-19/ Vijojnë operacionet humanitare, mijëra familje ndihmohen çdo ditë me ushqime e ilaçe


TIRANË, 22 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, në kuadër të operacioneve humanitare mijëra familje ndihmohen çdo ditë me ushqime, ilaçe dhe gjithçka tjetër të nevojshme.

Rama u kërkoi qytetarëve që të bëjnë durim, ndërsa i siguroi se strukturat e shtetit do të shkojnë kudo ku nevoja është më e madhe.

“Ndihmojmë mijëra familje çdo ditë, bëni durim, ju lutem durim, do vijmë kudo ku nevoja është më e madhe! Besim dhe durim”, tha Rama.

Në gjithë vendin, ekipet e ndihmës po gjenden pranë pensionistëve të vetmuar dhe familjeve në nevojë, duke u ofruar ushqime dhe medikamente dhe duke i asistuar me gjithçka të nevojshme.

Thirrja e autoriteteve shtetërore për qytetarët është të qëndrojnë në shtëpi dhe të zbatojnë rregullat e vendosura mbi kufizimet e qarkullimit, si masa kryesore për evitimin e  përhapjes së COVID-19. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.