Vitia: Kosova ka 122 respiratorë, kemi porositur edhe 50 të tjerë

PRISHTINE, 21 mars /ATSH/ -Virusi COVID-19 ka një inkubim të tillë për të cilin do të njohim të vërtetën mbi shfaqjen e tij vetëm në dy javët e ardhshme. Le t’i paraprijmë, nëse tregohemi të përgjegjshëm do të jetë e ulët dhe jo shumë e shtrirë. Kështu tha sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Albin Kurti konferencën e sotme me gazetarë e ka mbajtur në një ambient të hapur, në oborrin e qeverisë. Por tha se edhe këtij lloji të konferencës po i vjen fundi.

“Konferenca në një ambient të mbyllur u erdhi fundi, së shpejti do duhet t’i përfundojmë edhe këto në ambient të hapur dhe të komunikojmë vetëm përmes internetit dhe telefonit, sepse çfarëdo grumbullimi paraqet rrezik më të madh. Ta frenojmë përhapjen e virusit, shpresojmë që gjendja mos të na paraqitet e rëndë në ditët e javët në vijim. Ne jemi vetëm në fazën e parë, duhet të vetëdijesohemi të gjithë se kujdesi nuk u takon vetëm punonjësve të shëndetit publik. Ne mbrëmë i kemi mbyllur parqet, kemi marrë vendim që nga 8:00 deri 20:00 të jenë të ndaluara për qëndrim dhe lëvizje brenda. Kemi ndaluar edhe mundësinë për të marrë pijet”, tha ai, duke shtuar se të rinjët mund të jenë bartës të sëmundjes.

“Të rinjve mund tju duket se nuk janë të sëmurë, sepse i karakterizon energjia e vitalitetit të tyre, mirëpo ata mund të jenë bartës që përhapin sëmundjet tek anëtarët e tyre, përfshirë më të moshuarit”, shtoi ai.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se në Kosovë i kemi 122 respiratorë dhe me qëllim të forcohen kapacitetet, janë porositur për t’u blerë edhe 50 respiratorë të tjerë, prej të cilëve një pjesë vijnë në prill e pjesa tjetër në maj. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.