ROME – Italia merr masa të reja për parandalimin e COVID-19

ROME, 21 mars /ATSH-AA/ – Italia ka marrë masa të reja për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, COVID-19.

Në kuadër të një udhëzimi të nënshkruar nga ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza, në të gjithë vendin është ndaluar frekuentimi i parqeve dhe lulishteve si dhe të gjitha aktivitetet publike.

Në udhëzimin e ri, parashikohet që qytetarët të bëjnë aktivitete sportive individuale vetëm në afërsi të shtëpive dhe të ruajnë distancën prej 1 metër mes personave.

Sipas udhëzimit të ministrit Speranza ndalohen edhe udhëtimet drejt shtëpive të dyta dhe atyre verore të qytetarëve, mbyllen baret që shesin ushqime dhe pije përgjatë hekurudhave dhe buzë liqeneve, me përjashtim të bareve që ndodhen nëpër autostrada, në spitale dhe aeroporte.

Masat në fjalë do të jenë të vlefshme deri më 25 mars dhe nëse do të jetë e nevojshme do të zgjaten.

Sipas një dekreti të firmosur më 9 mars nga kryeministri italian, Giuseppe Conte, vendosi ndalesat deri më 3 prill të lëvizjes së lirë në të gjithë vendin, zbatimin e masave të karantinës së rreptë që kufizon hyrjet dhe daljet nga shtëpia, përveç nevojave të detyruara si dhe pezullimin e arsimit në të gjitha nivelet e shkollave, përfshirë edhe universitetet si dhe pezullimin e të gjitha aktiviteteve sportive.

Për shkak të koronavirusit në Itali kanë vdekur 4.032 persona ndërsa 37.860 të tjerë janë në trajtim.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.