Manastirliu thirrje për distancim social, publikon imazhet e mushkërive të dëmtuara nga COVID-19

TIRANË, 21 mars/ ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u ka bërë thirrje sërisht qytetarëve të respektojnë rregullat e disancimit social dhe këshillat e mjekëve.

Ajo ka ndarë mesazhin e mjekut, Tritan Kalo i cili në mënyrë të vazhdueshme u ka kërkuar qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi. Së bashku me mesazhin e tij, janë publikuar edhe imazhet radiologjike të mushkrive të “dërmuara nga agresori tinzar e jetëmarrës” Sars-Cov-2.

“Ju lutem zbatoni rregullat e distancimit social
Ju lutem dëgjoni thirrjet e mjekëve dhe ekspertëve
Ju lutem lexoni mesazhin e Dr. Tritan Kalos: Vetëm kështu do të mund t’ia dalim” –thotë ministrja ndërsa e shoqëron thirrjen e saj për respektim të rregullave, me mesazhin e plotë të mjekut Kalo.

Mesazhi i plotë i mjekut Kalo:

“VETËIZOLOHUNI…
VETËNDËRGJEGJËSOHUNI…
PËRKUJDESUNI për veten tuaj…
Në këto ditë të “luftës me Covid-19”, unë si mjek, si qytetar, si prind e si Shqiptar, përmes fotove të mëposhtme:
1- të udhëve të zbrazura
2- të tre MANTELBARDHËVE në një pushim të shkurtër të kësaj beteje, dhe
3- të imazheve radiologjike të mushkërive të “dërmuara nga agresori tinzar e jetëmarrës” Sars-Cov-2,
do të preferoja për të gjithë JU bashkëkombasit e mi, vetëm atë të parën….
JANË vetëm pak, shumë pak javë që DUHEN jetuar në kufizimin e jetës në shtëpi, për hir vetëm e vetëm të JETËS, të ardhmërisë sonë, të triumfit të së mirës ndaj të keqes…..Ju duam, POR duajeni edhe ju veten….
Ju respektojmë, POR respektoheni edhe ju vetveten….
Do përkujdesmi për ju në çdo çast, POR edhe ju duhet të kontribuoni me vetëizolimin tuaj dhe diferencimin social, që numri i të sëmurëve në Shqipëri të mos njohë një rritje galopante sikundër po ndodh këto ditë në Itali, në Spanjë, në Iran, në Gjermani, në Francë e gjetkë…..
Çdokush duhet t’a ketë të qartë se, KAPACITETET e një Sistemi Shëndetsor në mbarë Botën kanë limitet e veta….
NA NDIHMONI QË TË MOS I KAPËRCEJMË ATO!!!!…
Together we will win that war!!!” z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.