Dy rastet e shërimit nga COVID-19/ Shehu: Lajm i gëzueshëm, por jo eufori. Qytetarët të zbatojnë rregullat

TIRANË, 20 mars /ATSH – I. Vata/- Ish-deputeti i PD-së Tritan Shehu i konsideron dy rastet e shërimit nga COVID-19  si një lajm të gëzueshëm dhe një optimizëm për të dalë nga paniku.

Shehu shprehet se “dy pacientë me koronavirus u shëruan në Tiranë! Jo vetëm një lajm i gëzueshëm ky, më shumë tingëllon si një mesazh optimizmi për të dalë edhe nga paniku i shpeshtë dhe i justifikuar në këtë periudhë.

“Një mesazh që tregon se kjo e keqe mund të mposhtet. Përshëndetjet më të mira kolegeve, infermierëve, të gjithë atyre që janë të involvuar në linjat e para të kësaj beteje, për të cilët duhet të kujdesemi fort, fort, fort. Por aspak eufori dhe pa përgjegjshmëri pas kësaj ngjarje të bukur. Dhe kjo vlen për të gjithë, për qytetaret që të respektojnë katërcipërisht rregullat e përcaktuara, për drejtuesit e sistemit tonë shëndetësor me plot probleme, por që kjo situatë deri diku e “qetë” duhet t’i bëjë edhe më aktivë për të plotësuar sa më shumë prej boshllëqeve që kemi”, apelon ai.

“Kjo përpjekje sapo ka filluar, por siç treguan edhe këto dy raste mund e do të fitohet, gjë për të cilën duhet mobilizim, strategji e qartë, bashkëpunim i gjerë, financime të përshtatshme”, thekson Shehu.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.