Basha: Mbështes masat e qeverisë, por duhet shpallur gjendja e jashtëzakonshme

TIRANË, 21 mars /ATSH – I. Vata/- “Duhet shpallur gjendja e jashtëzakonshme në të gjithë territorin”, tha sot kryetari i PD-së Basha në një intervistë për një televizion, ndërsa tregon 3 prioritetet për përballimin e krizës.

Pyetjes se çfarë do të bënit ndryshe në qoftë se do të ishit kryeministër sot, Basha tha: “Tri gjëra, e para, do të merrja masa urgjente për të mbrojtur shëndetësinë, mjekët infermierët, gjithë punonjësit e shëndetësisë që janë në vijën e parë të mbrojtjes që janë jashtëzakonisht të ekspozuar dhe të rrezikuar. Njësoj si tërmeti edhe viroza ka zbuluar dobësinë e shtetit shqiptar që është padiskutim diçka e ndodhur jo në disa muaj, por në vite me radhë. Pra në këtë kuadër gjëja e parë që do të bëja është do të alokoja mjaftueshëm fonde për të mbrojtur mjekët, infermieret, personelin shëndetësor. Së dyti, duke qëndruar tek shëndetësia do të kisha vepruar shumë më shpejt për të blerë respiratorët”.

“Së treti, dhe jo më pak e rëndësishme, numri i testimeve në Shqipëri është habitshëm më i ulët se në çdo vend tjetër të rajonit dhe prandaj kemi një numër zyrtar të infektuarish që është në vlerësimin e ekspertëve, të grupit të ekspertëve me të cilët jam në komunikim, nuk është numri real. Numri real është më i lartë, prandaj për këtë arsye prioriteti i parë dhe kryesor do të ishte investimi tek shëndetësia, në veçanti në këto tre aspekte: mbrojtja e mjekëve dhe infermierëve, rritja e kapaciteteve testuese dhe rritja e kapaciteteve për të trajtuar ata që përfundojnë në spital”, tha ai.

Pu ashtu Basha shtoi se “ky është prioriteti i parë dhe kryesor. Prioriteti i dytë për fat të keq, kjo gjendje na ka gjetur në një Shqipëri ku 1 në 10 shqiptarë sipas statistikave zyrtare ushqehet 1 herë në ditë dhe situata po rëndohet për shkak të rrethanave që të imponon kjo pandemi. Biznese që mbyllen, konsumi që bie, dikush që fitonte një lek diku me një punë të bardhë apo të zezë nuk e çon dot në shtëpi, fëmijët duan të hanë, faturat duhen paguar. Është urgjente që paratë të cilat kanë shkuar deri tani në drejtime të tjera të kanalizohen në ndihmë të këtyre njerëzve në nevojë. Pra një buxhet social për të cilin kemi propozuar masa konkrete”.

“Opozita shqiptare ka bërë atë që bën çdo opozitë perëndimore, në Europë apo SHBA. I kemi kërkuar qeverisë të veprojë dhe të veprojë sa më shpejt. Ajo që ka rëndësi është se po e bëjmë punën tonë dhe si rezultat edhe i punës sonë kemi arritur ta shkundim qeverinë të marrë disa masa. U pranua propozimi që njëri nga prindërit që do të qëndrojë në shtëpi me fëmijët, të paguhet. U pranua propozimi për shtyrjen e kësteve të kredive për të paktën 3 muaj. U pranuan plotësisht apo pjesërisht edhe disa propozime të tjera. Kjo është detyra e opozitës. Të sensibilizojë, të kërkojë transparencë, të kërkojë llogari dhe të propozojë. Jemi në shërbim të shqiptarëve pa bërë politikë. Nuk është koha për debate politike, është koha për të dhënë ndihmën tonë dhe për ta kaluar këtë të keqe sa më shpejt dhe me sa më pak pasoja”, vijoi Basha.

“Në lidhje me ushtrinë, përtej aspektit kushtetues, i cili është i rëndësishëm, jam në mbështetje të çdo mase. Kam qenë në mbështetje kohë përpara se të merreshin, sepse pa kufizime, përhapja e virusit bëhet shumë më e lehtë. Kjo do të na kushtontë më shumë. Por këto masa duhet të merren sipas ligjit. Nuk janë në vullnetin dhe në humorin e kryeministrit, kushdo qoftë ai, ky, unë apo ndonjë tjetër. Ndaj, shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në të gjithë territorin e Shqipërisë, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë dhe pastaj, përdorimi i të gjithë instrumentave, kjo është rruga. Ushtria, patjetër që ka dalë në mbështetje të policisë për të zbatuar rregullat e distancimit social dhe izolimit, por nuk ka pse të dalë me mitraloz. Le të dalë të mbështesë njerëzit në nevojë, të çojë ndihma tek banorët e goditur nga tërmeti, tek më të pamundurit. Dalja me mitroloz duhet t’i kursehet këtij populli, sepse tregon mungesë idesh, aftësish për t’u përballur me krizën”, theksoi ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.