Tabaku: Qeveria mund të ndihmojë biznesin e vogël duke i anuluar parapagesën e taksave

TIRANË, 19 mars /ATSH – I. Vata/- Ish-deputetja e PD-së Jorida Tabalu deklaroi sot se “e vërteta është se buxheti i shteti ka para, por qeveria i ka për oligarkët, jo për shqiptarët”.

Tabaku tha se “vetëm për këtë vit qeveria do paguajë për koncensionet 120 mln euro (14 mld lekë) nga buxheti i shtetit dhe përbën 3.3 për qind të totalit të të ardhurave tatimore të pritshme të vitit 2019. Koncesionet me pagesën më të madhe vetëm për këtë vit do të jenë: koncesioni i Laboratorëve me vlerë 13.6 mln euro, koncesioni i Rrugës së Arbrit 21 mln euro, koncesioni i tre inceneratorëve që do t’i kushtojë buxhetit 18 mln euro”.

Tabaku shton se “plani i djeshëm i qeverisë prek 1.3% të GDP së vendit ndërsa ai i PPP-ve në Shqipëri është sa 12% e GDP-së së vitit 2019. Rama i propozon biznesit të vogël të marrë kredi për të mbuluar shpenzimet”.

“Kontratat koncesionare për vitin e vështirë financiar 2020 janë rritur me 16% në raport me një vit më parë. Buxheti i shtetit ka para. Kontratat koncesionare të pezulluara mund të rialokohen fare mirë në nevojat dhe domosdoshmëritë për shpenzimet e shtuara spitalore, njerëzit dhe bizneset e vogla në nevojë urgjente për ndihmë nga shteti”, u shpreh Tabaku.

“Qeveria mund të ndihmojë biznesin e vogël duke e shpëtuar nga taksat, duke i anuluar parapagesën e taksave që është e padobishme në kushtet aktuale, kur 100% e bizneseve të vogla dhe të mesme janë mbyllur. Qeveria nuk ka asnjë plan për 500 mijë punonjës që punojnë në sektorin privat dhe as për punëdhënësit e tyre. Bizneset e vogla do të marrin 400$ kompensim në total nga qeveria, ndërsa oligarkët marrin 330 mijë euro në ditë”, tha ajo.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.