Shtetasit shqiptarë që ndodhen në vendet europiane të mos përdorin Slloveninë si tranzit

TIRANË, 20 mars/ATSH/ -Shtetasit shqiptarë, të cilët ndodhen në vendet europiane, të mos udhëtojnë për në Shqipëri, duke përdorur si vend tranzit Slloveninë.

Ambasada e Shqipërisë në Slloveni me anë të një njoftimi, iu bën thirrje shtetasve shqiptarë, që ndodhen në vendet europiane të mos udhëtojnë për në Shqipëri, duke përdorur si vend tranzit Slloveninë.

Kjo, pasi thekson Ambasada, “është e pamundur të vazhdohet udhëtimi i mëtejshëm në territorin e vendeve të tjera. Kroacia, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi kanë në zbatim kufizime të plota të pamundësimit të lëvizjes të qytetarëve”.

Në këtë mënyrë, shton Ambasada, “në rrugë tokësore, duke përdorur Slloveninë si vend tranzit, është i pamundur udhëtimi drejt Shqipërisë”.

Ndërkohë, nënvizon Ambasada në njoftim, “në Slloveni për arsye të masave të rrepta për parandalimin e përhapjes të Coronavirusit nuk ofrohen kushte akomodimi, pasi hotelet, hostelet, etj, janë të mbyllura.

“Në këto kushte, mos kaloni në aventurë dhe udhëtoni drejt Shqipërisë përmes Sllovenisë. Qëndroni në vendet ku ndodheni, rruani shëndetin tuaj dhe shëndetin e tjerëve!”, ëhstë apeli i Ambasadës.

“Lutemi që ndjekësit e faqes të Ambasadës, të shpërndajnë sa më shumë këtë njoftim! Për çdo informacion telefononi në numrin e emergjencës: +386 31 240 760”, përfundon Ambasada e Shqipërisë në Slloveni.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.