Përdorim i kujdesshëm i internetit që të mos kolapsohet rrjeti, 350 teknikë të autorizuar në terren

TIRANË, 20 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “javën e fundit është vënë re rritje e kuptueshme eksponenciale e përdorimit të internetit në Shqipëri”, ndaj dhe kërkoi përdorim sa më të përgjegjshëm dhe të kujdesshëm që kapacitetet e këtij aseti që nuk është një burim i pakufishëm të mos i mbivendosim presionin e kolapsit.

Rama tha se “administrimi i duhur i rrjeteve dhe shërbimeve elektronike është një nga pikat nevralgjike të gjithë menaxhimit të krizës dhe kërkon një koordinim në kohë reale mes të gjithë aktorëve”.

“E keni parë se si kolapsuan sistemet dixhitale në vende shumë më të zhvilluara se i yni. Ne ishim përgatitur qysh herët dhe kemi qenë gjithë kohës në koordinim me operatorët për mbarëvajtjen dhe sigurinë e mirëfunksionimit të rrjeteve dhe të shërbimeve që rrezikohen nga një kolaps i pjesshëm apo i përgjithshëm si rezultat i mbipërdorimit të internetit  sidomos në shërbimin celular. Falë bashkëpunimit të deritanishëm, mirëkuptimit të sipërmarrësve, profesionalizmit të stafeve dhe mbështetjes së strukturave të Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe të bashkive është siguruar megjithë vështirësitë kudo ku ka qenë e mundur”, tha Rama.

Ai u shpreh se “në respekt të kufizimeve normative, aksesi në pikat kryesore të shitjes dhe shërbimit ndaj klientit, më shumë se 350 teknikë janë të autorizuar të qarkullojnë në terren gjatë gjithë ditës për të mirëmbajtur infrastrukturën e rrjeteve dhe për të mos lënë për një kohë të gjatë pajtimtarët pa shërbime bazë”.

Rama tha se “në funksion të situatës ekipet teknike në terren mund të jenë edhe më të shpeshta megjithë mangësitë e natyrshme”.

Kryeministri theksoi se “në situatën e jashtëzakonshme është krijuar në kuadrin territorial një kordon asistence dixhitale jetëgjatësia e të cilit do të varet nga sensi i përgjegjshmërisë dhe vetëdijësimi i secilit prej nesh në një moment kur nuk ka ende parashikueshmëri për kohëzgjatjen e kësaj lufte”.

Kryeministri kërkoi ndërgjegjësimin e qytetarëve për brishtësinë akute të sistemeve dhe rrjeteve elektronike në këto kohë lufte.

“Përvoja në vende të tjera të prekura nga pandemia si Italia, Britania e Madhe dhe Spanja dëshmon se mbingarkimi i rrjeteve, abuzimi i përdorimit të tyre, sjell si pasojë të menjëhershme kolapsin që nuk dëmton vetëm cilësinë por kompromenton jetëgjatësinë dhe vazhdimësinë e furnizimeve bazike të telefonisë fikse dhe celulare si dhe furnizimin me internet në momentet kritike.

“Situata e krijuar në këto vende ku u afrua në mënyrë jorealiste internet mobile 100% falas i pakufizuar për 10 ditë, rezultoi në probleme teknike që mund të jenë fatale për mijëra konsumatorë. Ndaj dhe ata ndryshuan kurs kur u gjendën në kolaps”, tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.