IRAN – Rritet shqetësimi për daljen në rrugë të njerëzve me rastin e Novruzit

TEHERAN, 20 mars /ATSH/ – Ankesat e qeverisë iraniane që kombi të qëndrojë në shtëpi me rastin e Vitit të Ri iranian (Novruzit) janë injoruar gjerësisht nga më shumë se 1,2 milionë persona që kanë dalë nëpër rrugë, sipas policisë iraniane, njofton ”The Guardian”.

Qytetet veriore në bregdetin e Kaspikut, një nga destinacionet kryesore të pushimeve, raportuan dhjetëra mijëra makina që po shkonin drejt tyre.

Shifrat e fundit të publikuara sot treguan se Irani ka tani 19 644 raste me infeksion dhe 1 433 vdekje.

Infeksionet e reja në 24 orët e kaluara ishin 1 237 dhe numri i vdekjeve 149.

Numri i infeksioneve të reja ishte rekord për një ditë të vetme, por ai i vdekjeve, i njëjtë me një ditë më parë.

Autoritetet politike dhe fetare u kishin kërkuar iranianëve të qëndronin në shtëpi për Vitin e Ri, një kohë kur iranianët tradicionalisht udhëtojnë për të takuar miqtë dhe familjarët dhe për të festuar ardhjen e pranverës.

Autoritetet në Mashad, qyteti i dytë më i populluar i Iranit dhe kryeqyteti i provincës së Khorasan-e Razavi, thanë se trafiku ishte vetëm 2% më i ulët se një vit më parë./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.