COVID-19/ 627 të vdekur sot në Itali, Rama: Njerëzit u tallën me masat në emër të lirisë për xhiro

TIRANË, 20 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha të premten se në Itali sot ndërruan jetë 627 persona, sepse masat shtrënguese u morën vonë, njerëzit u tallën me masat në emër të lirisë për xhiro.

Kreu i qeverië u shpreh se “do vrasim njëri-tjetrin dhe do rrimë duke numëruar me qindra të vdekur e mosozot mijëra? Apo do rezistojmë dhe do shpëtojmë njëri-tjetrin”.

“O njerëz! Në Itali sot 627 të vdekur, gjashtëqind e njëzetë e shtatë!!! vetëm sot!!! 24 orë 627 të vdekur!!! Në Lombardi ku Italia ka një sistem spitalor që është në majën e Europës, nëntë në dhjetë vdekje ndodhin në shtëpi. Pse??? Sepse masat shtrënguese u morën vonë, njerëzit u tallën me masat në emër të lirisë për xhiro, për sullaco e për festa dhe armiku u vajti të tërëve nëpër shtëpi”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “numri i të sëmurëve e kaloi me galop numrin e shtretërve dhe ja si ka ardhur puna. Tani si do i’a bëjmë?! Do vrasim njëri-tjetrin dhe do rrimë duke numëruar me qindra të vdekur e mosozot mijëra? Apo do rezistojmë dhe do shpëtojmë njëri-tjetrin”.

“Po njerëzit kanë ndenjur 30 vjet në burg apo 30 ditë në grevë urie dhe nuk kanë vdekur, e pse duhet të vdesin sot duke ndenjur në shtëpi pa dalë xhiro apo duke ndenjur në radhë pak më gjatë, pa u ngjitur me njëri-tjetrin?!” – tha Rama./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.