Masat shtrënguese/ Rama: Qytetarët të ndërgjegjësohen, Policia nuk është si koronavirusi që është kudo dhe nuk mund të kapë çdo shkelës

TIRANË, 19 mars/ATSH-Gjergji Mima/ – Kryeministriri Edi Rama u bëri sot thirrje të gjithë shqiptarëve që, “ashtu siç jemi bërë të tërë ushtarë në këtë luftë, duhet të bëhemi edhe policë, kur dikush  rreth e rrotull na kërcënon jetën me papërgjegjshmërinë e tij”.

Në fjalën e tij gjatë shpalljes së planit financiar për përballimin e pasojave të COVID – 19, Rama tha se, “ju kam lodhur mbase këto ditë dhe do t’ju lodh edhe më shumë në ditët në vazhdim me avazin tim të përsëritur të kësaj kohe errësire ku unë nuk jam Kryeministri juaj ditën me diell, por vetëm i pari ndër të barabartët i familjes tonë shqiptare, sepse më shumë se kurrë ndonjëherë dhe si asnjëherë më parë ne jemi të gjithë të kërcënuar po njësoj. Të gjithë anëtarët e familjeve tona janë të kërcënuar po njësoj. Vetë shtëpia jonë e përbashkët, Shqipëria është po njësoj e kërcënuar si të tëra shtëpitë e vendeve të tjera në rajon, në Europë, në botë”.

Por, shtoi Rama, “nëse në shumë shtëpi të tjera ka plot zahire për dimër në bodrum. Në shtëpinë tonë nuk ka bollëk tjetër përveç bollëkut të zemrës së shqiptarit. Të asaj forcës së hatashme të mbijetesës që shqiptarët i kanë përcjellë njëri-tjetrit duke lindur dhe rritur fëmijë në kohëra që s’kanë qënë kurrë bujare me këtë vend dhe këtë popull”.

Sot, u shpreh Kryeministri Rama, “është koha për të kursyer gjithçka mundemi, por ajo atë bollëk force të trashëguar nga të parët tanë që do ta nxjerrim nga bodrumet e zemrës tonë dhe do ta shpenzojmë pa kursim për ta fituar këtë luftë. Nuk shkon motra e vëllezër, nuk shkon që këtë sakrificë që kemi nisur të gjithë bashkë, këto kufizime skandaloze lirie që i kemi pranuar të gjithë bashkë si domosdoshmëri jetike t’i hedhim në plehra duke mos qenë në gjendje të mbajmë një radhë siç duhet në derën e një dyqani”.

“Nëse në oraret e lejuara për këmbësorët ne grumbullohemi siç kemi bërë tërë jetën tek dera e autobusit dhe nuk i bëjmë dot një vijë distance nga njëri-tjetri, kjo do të thotë të hedhim në plehra tërë frytet e sakrificës, duke u mbledhur si cjepër në hanxharin e kasapit të padukshëm që ka ardhur të na hajë kokën”, tha Rama.

“Më thoni çfarë duhet të bëjmë më? Të dënojmë me burg ata që akoma nuk po duan të marrin vesh? Çfarë ka akoma të vështirë këtu për të kuptuar që çdo grumbullim i pakujdesshëm mund të jetë fatal për familjen tonë?”, pyeti Rama.

“I lutem të gjithë atyre që janë futur në llogoren e tyre të rezistencës dhe që janë 99 e kusur për qind e popullsisë të mos heshtin, por kërkojini kujtdo që rrezikon jetën e familjes tuaj duke thyer distancat e sigurisë, të bëjë të njëjtën gjë që bëni ju”, ishte lutja e Ramës drejtuar qytetarëve shqiptarë.

“Policia nuk është si koronavirusi që është kudo dhe nuk mund të kapë çdo shkelës, siç e kap ky armik i padukshëm. Ashtu siç jemi bërë të tërë ushtarë në këtë luftë duhet të bëhemi edhe policë, kur dikush rreth e rrotull na kërcënon jetën me papërgjegjshmërinë e tij”, nënvizoi Rama.

“Nuk është koha për sherre, por për sensibilizim, kudo e kurdo që shfaqet një shqipe e keqkuptuar rrotull nesh. Unë besoj shumë që ne e kemi në dorë fatin tonë në këtë luftë dhe duke mos hequr dorë asnjë çast nga rezistenca ne mund të dalim prej kësaj lufte pa plagë të pashërueshme dhe pa grumbuj të vdekurish si Italia mike dhe fqinje”, tha Kreu i Qeverisë.

“Ta bëjmë këtë luftë deri në fund motra e vëllezër me të gjithë bollëkun e zemrës. Të asaj force të veçantë të shqiptarëve që i ka siguruar këtij kombi mbijetesën edhe kur është kërcënuar nga shpërbërja dhe nga asimilimi prej fuqish të mëdha të kësaj bote. Ta bëjmë deri në fund këtë luftë për fëmijët tanë dhe për gjyshërit e tyre, për familjen  e vogël që është mbyllur në shtëpi dhe për familjen tonë shqiptare, sepse nuk do të na e falë historia që nga një luftë pa armë dhe pa ushtri përballë ne të dalim kokulur për këto zakonet e fajet tona”, tha Rama.

“Zoti i shqiptarëve është i madh dhe na dhëntë të gjithëve forcën që na duhet orë e minutë në këtë sprovë të tmerrshme me vetveten. Ju dua shumë që të gjithëve”, përfundoi fjalën e tij Kryeministri, Edi Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.