ITALI – Conte: Taskforcë mjekësh për zonat më të prekura nga COVID-19

ROMË, 19 mars /ATSH/- Deri në 300 mjekë do të vijnë nga e gjithë Italia për të mbështetur zonat më të prekura nga COVID-19, njoftoi kryeministri Giuseppe Conte.

“U jemi pranë komuniteteve që janë në ballë të përballjes me këtë emergjencë. Ne do të vazhdojmë ta luftojmë këtë betejë bashkë me ta”, theksoi Conte .

Kryesia e Këshillit të Ministrave, në bashkërendim me Mbrojtjen Civile dhe me propozimin e ministrit për Çeshtjet Rajonale, Francesco Boccia, ka vendosur të krijojë një task force mjekësh, të ardhur nga e gjithë Italia, që do të dërgohet në territoret me problemet më kritike shëndetësore.

Task forca do të përbëhet maksimumi nga 300 mjekë, me pjesëmarrje të bazuar në vullnetarizëm.

Stafi, i zgjedhur për të përmbushur nevojat më të kërkuara, do të punojë për të mbështetur strukturat rajonale të kujdesit shëndetësor./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.