COVID-19/ Kryetari i bashkisë Berat, Demo për ATSH-në: Ka nisur shpërndarja e ndihmave për pensionistët dhe familjet në nevojë

TIRANË, 19 mars/ATSH-Maela Marini/ Në gjithë territorin e bashkisë Berat janë identifikuar 800 pensionistë që jetojnë vetëm dhe 300 familje në nevojë, për të cilët bashkia ka nisur shpërndarjen e ndihmave ushqimore.

Në një prononcim për ATSH-në, kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo u shpreh se “ekipi i bashkisë ka nisur shpërndarjen e pakove ushqimore për të moshuarit e vetmuar”.

“Janë identifikuar 800 pensionistë që jetojnë vetëm dhe 300 familje në vështirësi ekonomike. Ne kemi filluar kontaktimin me të gjithë, vendosjen e pikës së kontaktit dhe ofrimit të pakove ushqimore, ku ka qenë emergjente”, tha Demo.

Ai theksoi se “po tentojmë ta shtrijmë ndihmën ushqimore në të gjitha këto kategori, ndërsa presim skemën kombëtare për mbështetjen”.

Demo tha se “shpërndarja e ndihmave ka nisur ditën e djeshme dhe deri tani janë shpërndarë ndihma në 146 familje”.

Po ashtu, Demo tha se “ekipet e bashkisë kanë kontaktuar pensionistët, për shpërndarjen e medikamenteve të nevojshme”.

Demo tha po ashtu se në gjithë territorin e bashkisë ka përfunduar plotësisht procesi i dezinfektimit, në të gjitha institucionet publike, shkolla, kopshte, dhe hapësira të tjera publike, ndërsa ditën e hënë do të nisë cikli i dytë  i dezinfektimit, në mënyrë që të sigurohet procesi në vijimësi.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.