COVID-19/Dom Gjergj Meta: Mos të dënojmë veten tonë me papërgjegjësinë tonë, të zbatojmë rregullat

TIRANË, 19 mars/ATSH-A. Fortuzi/- “Jeta jonë nuk mund të varet nga një virus, mos humbni shpresën, por ne mund të dënojmë veten tonë me papërgjegjësinë tonë”, deklaroi sot Ipeshkvi i Rrëshenit, Dom Gjergj Meta.

Gjatë një interviste televizive, Dom Gjergj Meta tha se “nuk duhet të biem pre e panikut në asnjë mënyrë, nuk duhet të jemi fatalist. Edhe ata që kanë përgjegjësi, qoftë edhe mjekët, qeveritarët, jo të ushqejnë iluzione, por të përdorin një gjuhë që ngjall shpresë. Sigurisht që situate mund të shkojë më keq, por mund të ketë dhe faktorë të tjerë, që ne s’i dimë, që mund ta çojnë situatën për mirë. Është shumë e rëndësishme që ne të zbatojmë rregullat”..

“Të jemi reflektues, pasi e ardhmja është e paparashikueshme. Fati nuk është i shkruar, fati shkruhet. Ne e shkruajmë jetën tonë për ditë si njerëz dhe Zoti bashkë me ne shkruan jetën tonë. Po të shkruhej fati, kjo do të thotë të jetosh në bazë të asaj që qenka shkruar për ty. Prandaj kur them t’i zbatojmë rregullat sot, ti zbatojmë sot, se kështu ndërtojmë të nesërmen tonë. Të kapërcejmë rregullin e të fortit”,- shton Dom Gjergj Meta.

“Uroj që t’i jetojmë këto ditë me shumë përgjegjësi, dashuri. Të kujdesemi për njëri-tjetrin, pjesën më të brishtë, pleqtë e fëmijët, ata që kanë një sëmundje klinike. Kemi nevojë të shpresojmë. Të dashur miq, mos e humbni shpresën në asnjë moment, jetoni me pozitivitet ditët tuaj, s’mund të varet jeta jonë nga një virus”,- vijon Dom Gjergj Meta.

Ai u këshilloi të gjithë besimtarëve të falen me zemër, nuk ka nevojë për tempuj.

“Tempulli më i rëndësishëm dhe më i bukur që ka ndërtuar Zoti është njeriu. Objekti i kultit është zemra e njeriut. Aty në zemrën e njeriut ndodh e bukura, vijimësia. Edhe kur shkojmë në Kishë, lutemi, por nëse nuk e ndjejmë me zemër nuk vlen. Është zemra e njeriut që e bënë njeriun më pranë Zotit”,- thekson Dom Gjergj Meta.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.