COVID-19/BB zgjat me një vit projektin e rimëkëmbjes së sektorit të energjisë

TIRANË, 19 mars /ATSH/- Banka Botërore, bën të ditur se do të ketë zgjatje me një vit tjetër të projektit të rimëkëmbjes së sektorit të energjisë, që u miratua në vitin 2015.

Banka vlerëson në dokumentin e saj të publikuar së fundi se, ristrukturimi i propozuar nënkupton: zgjatjen 12-mujore të datës së mbylljes së projektit deri më 30 nëntor 2020 nga data e mbylljes origjinale.

“Projekti i Rimëkëmbjes së Energjisë në Shqipëri (PRP) ka dy synime: (i) të përmirësojë besueshmërinë e furnizimit me energji elektrike; dhe (ii) përmirësimi i qëndrueshmërisë financiare të sektorit të energjisë. Projekti ka 4 komponentë: Sigurimin e fondeve për importimin e energjisë elektrike gjatë rehabilitimit të hidrocentraleve kryesore në Shqipëri (mbështetur nga Banka Botërore në kuadër të Projektit të Sigurisë së Digave); Financimin për të përmirësuar infrastrukturën e shpërndarjes së energjisë në rrjetin e shpërndarjes si dhe sistemin matës; ndërhyrjet në rrjetin e transmetimit të energjisë dhe sistemin matës për të forcuar aftësinë e OST për të transmetuar energji dhe asistencë teknike për zbatimin e projektit si dhe politikat e ndërhyrjes. e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.