Barnat në banesë për pacientët kronik mbi 65 vjeç, FSDKSH: Pacientët të komunikojnë me telefon me mjekun

TIRANË, 19 mars/ATSH/ Farmacitë apo agjencitë farmaceutike që kanë kontratë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në bashkëpunim me punonjësit e shërbimit të Kujdesit Parësor mundësojnë dërgimin e barnave në banesë për pacientët kronik mbi 65 vjeç.

Kjo u bë e ditur në një njoftim për shtyp të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, në të cilin shpjegohen edhe hapat që do të ndiqen nga pacientët për të marrë këtë shërbim.

“Mjeku komunikon me telefon, sms, skype, whatsapp etj, kodin/kodet e recetave të pacientit. Drejtoritë rajonale të FSDKSH sigurojnë listën emërore të pacientëve mbi 65 vjeç dhe informacionin mbi farmacitë ku pacienti ka ekzekutuar recetat e fundit me rimbursim”, bën të ditur FSDKSH.

Gjatë procesit të dorëzimit të barnave, FSDKSH shprehet se duhet të respektohet në mënyrë rigoroze perimetri i sigurisë mes pacientëve dhe ofruesve të këtij shërbimi.

/a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.