Ndihma për të prekurit nga tërmeti, për pensionistët e vetmuar dhe familjet e varfra

TIRANE, 18 mars/ATSH/- Ministria e Mbrojtjes së bashku me kryetarët e Bashkive dhe Prefektët e qarqeve ka nisur shpërndarjen e ndihmave për personat të cilët vijojnë të qëndrojnë në çadra pas tërmetit të tragjik të 26 nëntorit, por edhe për pensionistët e vetmuar dhe familjet më të varfra.

Kryeministri Edi Rama shprehet se shpërndarja e ndihmave në shenjë solidariteti pritet të vijojë edhe në ditët në vijim.

Pakot që po përgatiten te Rezervat e Shtetit dhe që do t’u shpërndahen pensionistëve kryefamiljarë dhe familjeve në nevojë përmbajnë kryesisht produkte ushqimore bazë dhe detergjentë.

“Do t’u shërbejmë me përkushtim maksimal dhe me gjithçka kemi mundësi. Ju lutem të gjithëve të na mirëkuptojnë sepse na duhet pak kohë. Edhe vende më të zhvilluara po përballen me vështirësi të paimagjinueshme!” , ka deklaruar ministria e Mbrojtjes Olta Xhaçka.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.