Mustafa-Kurtit: Anuloje vendimin për shkarkimin e Veliut dhe hiqe taksën ndaj Serbisë

PRISHTIN, 18 mars/ATSH/- Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar menjëherë pas vendimit të kryeministrit Kurti për shkarkimin e ministrit Veliu.

Mustafa i ka dhënë ultimatum Kurtit që të anulojë këtë vendim dhe të heq taksën deri në fund të javës.

Kreu i LDK-së ka thënë se vendimi për shkarkimin e Veliut është i papranueshëm.

“Për mua dhe LDK-në është i papranueshëm shkarkimi i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu. Kjo është shkelje e Marrëveshjes së koalicionit.  Me marrëveshje kemi përcaktuar se ministrat mund të shkarkohen nga Kryeministri në konsultim me Kryetarin e subjektit politik me të cilin është bërë koalicioni, bazuar në një arsyetim që e pranon Kryetari i LDK-së. Si kryetar i LDK-së nuk jam konsultuar nga Kryeministri dhe aq më pak i pranoj arsyet e t ij te bëra publike”, tha ai.

Mustafa kërkoi nga Kryeministri të anuloj vendimin për shkarkimin e z. Veliu dhe të merr vendim per heqjen e taksës deri në fund të javës.

“Veprimet e njëanshme të Kryeministrit janë të dëmshme dhe të papranueshme dhe çojnë në prishje të koalicionit”, deklaroi Mustafa./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.