Masat kundër përhapjes së COVID-19/ AKU monitoron subjektet tregtare në Durrës

TIRANË, 18 mars /ATSH/- Drejtoria Rajonale e Autoritet Kombëtar të Ushqimit (AKU) Durrës, vijon kryerjen e monitorimeve pranë subjekteve ushqimore me aktivitet të ndryshëm si (njësi tregtimi produkte bulmeti, fruta-perime, njësi prodhimi dhe tregtimi ëmbëlsirash, supermarkete dhe furra buke) në kuadër të masave të marra kundër përhapjes së Covid-19.

Qëllimi kryesor ndaj Operatorëve të Biznesit Ushqimor, ka qenë udhëzimi i tyre për shtimin e kujdesit të higjienës në punë, kushte të mira higjenike gjatë prodhimit dhe tregtimit të produkteve ushqimore, mbajtja e dorezave dhe maskave, respektimi i distancës nga klientët si dhe në mënyrë specifike furrat e bukës janë këshilluar në tregtimin e bukës të paprerë duke shmangur në këtë mënyrë intoksikimin e saj.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë monitorimin në të gjithë vendin për zbatimin në mënyrë rigoroze të udhëzimeve dhe këshillave të dhëna me qëllim shmangien e përhapjes së COVID-19, duke garantuar kështu sigurinë ushqimore në vend dhe mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të konsumatorëve. e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.