Kroacia mbyll të gjithë kufijtë tokësorë/ Ambasada: Mos ndërmerrni udhëtime, rrezikoni të mbeteni të bllokuar

TIRANË, 18 mars/ATSH/ -Republika e Kroacisë ka mbyllur të gjithë kufijtë tokësorë të vendit.

Ambasada e Shqipërisë në Zagreb bën me dije se Republika e Kroacisë ka mbyllur të gjithë kufijtë tokësorë të vendit, si masë mbrojtëse për situatën e krijuar nga COVID-19.

“Qeveria e Republikës së Kroacisë ka mbyllur të gjitha pikat kufitare të vendit dhe për rrjedhojë e bën të pamundur hyrje-daljen dhe kalimin tranzit në territorin e saj”, thekson ambasada shqiptare në Zagreb.

“Lutemi, të gjithë qytetarët shqiptarë të mos ndërmarrin udhëtime me rrugë tokësore, pasi rrezikojnë të mbeten të bllokuar”, shton ambasada e Shqipërisë në Kroaci.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.