Mjeku Kalo: Distancimi social dhe higjiena personale, kyç në ‘luftën’ kundër koronavirusit

TIRANË, 17 mars/ATSH/ Mjeku Tritan Kalo siguroi qytetarët që stafi mjekësor i cili po i shërben pacientëve të prekur nga koronavirusi, janë të mirëtrajnuar dhe po shërbejnë me përkushtim.

Përmes një videomesazhi të publikuar në faqen zyrtare të ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, Kalo thotë se edhe qytetarët duhet të ndihmojnë në mospërhapjen e sëmundjes. Sipas tij, distancimi social dhe masat e higjienës personale, janë të rëndësishme për mospërhapjen e sëmundjes.

“Masat e higjienës personale, kolektive, të vetë ndërgjegjësimit dhe mbi të gjitha atë që quhet distancim social janë në eficencën maksimale për arritur që të mundim mospërhapjen e mëtejshme të këtij infeksioni në vendin tonë sepse mospërhapja dhe ulja e të sëmurëve përbën një nga kyçet më të arta të suksesit, krahas asaj që është e domosdoshme ndihma e kualifikuar që do të merrni në çdo kohë nga strukturat të cilat tashmë kanë filluar të merren me të sëmurët nga COVID-19. Mjekët, infermierët, personeli teknimi, imazhernik, sanitari dhe farmacistet në spitalin Infektiv janë një trupe e vetme e mirëtrajntuar, në çdo sekondë, t’iu shërbejë në mënyrë maksimale dhe me cilësinë më të mirë sepse kanë një eksperiencë tashmë të konsoliduar në trajtimin e sëmundjeve me karakter epidemik”, -thotë Kalo. z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.