Koronavirusi/ Infermierë të shumtë i përgjigjen thirrjes për ndihmë

PRISHTINË, 17 mars /ATSH/ Disa komuna të Kosovës kanë mungesë në personel shëndetësor për të përballuar përhapjen dhe për t’u përballur me koronavirusin COVID-19 e njëra prej tyre është edhe komuna e Drenasit. Thirrjes së kryetarit të kësaj komune,  Ramiz Lladrovci për të ndihmuar personelin shëndetësor në këtë situatë emergjente të përhapjes së koronavirusit, u janë përgjigjur shumë infermierë vullnetarë.

Një numër infermierësh kanë shprehur vullnetin për t’u bërë pjesë e personelit shëndetësor në QKMF në Drenas, në mënyrë që të menaxhojnë së bashku situatën dhe të ofrojnë shërbime profesionale e të sigurta për qytetarët.

Ky numër i vullnetarëve “vetëm sa po rritet, mirëpo, nevojat për t’u pajisur me maska, doreza e dezinfektuese janë të mëdha për stafin shëndetësor të Drenasit”, thuhet në komunikatën e Lladrovcit.

Komuna e Drenasit i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të furnizojnë QKMF-në në Drenas dhe QMF-në në Komoran, me pajisje të nevojshme mbrojtëse ndaj virusit COVID-19.

Nevoja për t’u furnizuar është e arsyeshme, pasi stafi nuk ka pajisje të mjaftueshme, edhe vullnetarët e rinj që do t’i bashkëngjiten personelit, gjithashtu kanë nevojë.

Deri tani nuk ka raste të verifikuara me virus COVID-19 në Drenas, ndërkohë që shtabi emergjent po e mbikëqyr situatën dhe po zbaton rekomandimet e IKSHP-së.

Kryetari Lladrovci ka falënderuar infermierët vullnetarë të paraqitur, duke i quajtur heronj dhe krenari të vendit. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.