Kalo: Pragshërimi i plotë i të sëmurit të parë me COVID-19, shënon një sukses të merituar

TIRANË, 17 mars/ATSH/ “Pragshërimi i plotë i të sëmurit të parë me COVID-19, shënon një sukses të merituar të ekipit të Shërbimit të Sëmundjeve Infektive”, u shpreh sot mjeku Tritan Kalo duke iu referuar pacientit me koroanvirus testi i të cilit doli sot negativ.

“Fillimi i mbarë shënon edhe gjysmën e punës. Negativizmi dhe pragshërimi i plotë i të sëmurit të parë me COVID-19, shënon një sukses të merituar të ekipit të Shërbimit të Sëmundjeve Infektive”, tha Kalo.

“Suksese edhe të mëtutjeme të gjithë Mantelbardhëve, Infermierëve, Imazheristëve, Farmacistëve, Sanitarëve, Barelistëve, Koordinatoreve dhe Administratoreve të Shërbimit të Sëmundjeve Infektive në QSUT “Nënë Tereza”, theksoi Kalo.

“Jemi për momentin “remi” në ndeshjen e gjatë të shahut me supertinzarin Covid-19…puna, profesionalizmi dhe përkushtimi i ekipit tone, jam mëse i sigurtë se në një kohë jo të largët, do ta “zërë shah-mat” këtë sëmundje mjaft të rrezikshme por jo të pamposhtshme”, shtoi Kalo.

“Durimi, Guximi dhe Këmbëngulja e të gjithëve ne, por edhe e të gjithë kolegëve në QSUT si dhe në ngrehinat e tjera të Shëndetit Publik të paracaktuara për ndjekjen e të sëmurëve me Covid-19, do të na nxjerë patjetër faqebardhë në këtë betejë për triumfin e jetës”, tha Kalo.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.