Durrës/ Vijon puna për të shmangur daljen e pensionistëve

TIRANË, 17 mars/ATSH-A. Fortuzi/ Kryetari në detyrë i bashkisë së Durrësit, Zhuljen Varfaj ka theksuar se në qytetin bregdetar po vijon puna për zbatimin e nismës së qeverisë për të shmangur daljet e pensionistëve.

Varfaj theksoi se “në vijim të masave parandaluese për përhapjen e COVID-19, bashkia Durrës po punon për zbatimin e nismës së qeverisë për të shmangur daljen e pensionistëve nga shtëpitë”.

“Është duke u evidentuar lista e pensionistëve kryefamiljarë në qytet dhe në fshatra, të cilët nuk kanë pranë asnjë fëmijë për t’i ndihmuar dhe që do të asistohen me shërbimet e nevojshme deri në rikthim të situatës normale”, – thekson Varfaj.

“Po ashtu, po përgatitet lista e pensionistëve të vetmuar në çadra dhe kontejnerët ku janë strehuar pas tërmetit të 26 nëntorit. Ndërkohë, për të gjithë të moshuarit që trajtoheshin në Qendrën Ditore të të Moshuarve janë shpërndarë ushqime deri në datën 23 mars”, – vijon Varfaj.

“Ftojmë qytetarët që të kujdesen për të afërmit e tyre të moshuar duke i mbajtur brenda shtëpive, si edhe të ofrojnë ndihmë brenda mundësive dhe rregullave të vendosura për çdo të moshuar pranë vendbanimeve të tyre”, – përfundoi ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.