BRUKSEL – Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme: Vendim pozitiv për Tiranën dhe Shkupin

BRUKSEL, 17 mars /ATSH/ – Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Europian do të vendosë pozitivisht për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sipas radios ”Europa e Lirë”.

Në draftin e konkluzioneve thuhet se ministrat e vendeve anëtare të BE-së do të vendosin për hapjen e negociatave me Shkupin e Tiranën, me kusht që konkluzionet miratohen nga Këshilli Europian.

Këto konkluzione duhet të miratohen në një takim që është paraparë të mbahet më 24 mars, por, sipas të gjitha gjasave, ai do të zhvillohet në formatin e telekonferencës, për shkak të masave preventive kundër koronavirusit.

“Këshilli i bën thirrje Komisionit Europian, që pa vonesa dhe deri në qershor, të paraqesë propozimin për negociatat, ndërsa konferenca e parë ndërqeveritare të thirret pa vonesa, pas miratimit të negociatave”, thuhet në draftin e konkluzioneve.

Këto konkluzione që duhet t’i miratojë Këshilli i Ministrave të BE-së të martën e ardhshme, duhet t’i mbështesin shefat e shteteve dhe qeverive të BE-së në samitin që është caktuar të mbahet më 27 dhe 28 mars.

Për shkak të situatës së krijuar me koronavirus, ka shumë mundësi që edhe ky takim të mbahet në format të video-konferencës./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.