EKONOMI – FMN: Gati për një trilion dollarë kundër COVID-19

UASHINGTON, 16 mars /ATSH-AA/ – Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva, tha se institucioni të cilin e udhëheq ajo është gati të mobilizojë një trilion dollarë për huadhënien për të ndihmuar vendet anëtare të luftojnë përhapjen e koronavirusit.

Georgieva në një shkrim të publikuar në faqen e FMN-së, thekson se FMN së pari mund të vendosë në dispozicion një pako mjetesh për reagim urgjent për të ndihmuar vendet me ekuilibër të shpejtë të pagesave.

Ajo theksoi domosdoshmërinë e një stimulimi fiskal shtesë nga qeveritë për të parandaluar dëmet afatgjate ekonomike.

“Përtej veprimeve pozitive individuale, çështja e një stimuli fiskal global të koordinuar dhe të sinkronizuar po rritet gjithnjë e më shumë”, tha Georgieva.

Ajo shtoi se përderisa virusi po përhapet, rritja e veprimit të koordinuar do të jetë thelbësore për rritjen e besimit, sigurisë dhe stabilitetit të ekonominë globale.

Georgieva u bëri thirrje bankave qendrore të vazhdojnë të mbështesin kërkesën dhe të rrisin besimin duke lehtësuar kushtet financiare.

Ajo gjithashtu rekomandoi që mbikëqyrësit e sistemit financiar të synojnë të ruajnë ekuilibrin midis ruajtjes së stabilitetit financiar, ruajtjes së qëndrueshmërisë së sistemit bankar dhe mbajtjes së aktivitetit ekonomik./ /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.