COVID-19/ Rakacolli: Nuk ka mungesë tamponësh, por në kushtet e pandemisë, bëhet vetëm kur ka rast të dyshuar

TIRANË, 16 mars/ATSH/ Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli në një intervistë televizive deklaroi sot se në vend nuk ka mungesë tamponësh pët të bërë analizën e COVID-19.

Ajo theksoi se tamponët nuk bëhen me kërkesën e qytetarëve, në kushtet kur jemi në një pandemi që është shtrirë në të gjithë botën.

“Tamponi ka kuptim të merret kur rasti është i dyshuar, kur infeksioni është i vogël, jo kur është pandemik ku është shpërndarë në të gjithë botën. Në kushte pandemie jemi në kushte që jemi të gjithë të rrezikuar. Mund ta bësh tamponin tani dhe të dalësh nesër jashtë e ta marrësh virusin.

Në kushtet e pandemisë këshillohet që tamponi të bëhet në ato raste kur ka rast të dyshuar. OBSH ka përcaktuar rastet kur quhen të dyshuar; ata që paraqiten me shenja të rënda, temperaturë, probleme me frymëmarrjen dhe kanë histori lidhjeje me vendet e prekura. Kemi tamponë për të gjitha rastet e dyshuara, në pandemi ka kritere të përcaktuara për të bërë tamponin”,- tha zv.ministrja.

Ajo tha se mjekët e infektuar nga COVID-19 ndodhen në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe janë vetëizoluar nëpër shtëpitë e tyre. Sa i përket të dhënave gjinore apo moshore të personave që kanë gjasa të preken më shumë nga ky virus, zv.ministrja tha se duke nisur nga rasti i Shqipërisë po edhe asaj që ka ndodhur në botë, më të prekur nga kjo sëmundje rezultojnë meshkujt dhe moshat mbi 75 vjeç, edhe pse në rastin e Shqipërisë janë prekur grupmosha më të reja. z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.