COVID-19/ Prefekti i Lezhës, Jaku apel qytetarëve: Qëndroni në shtëpi, këto dy javë përcaktojnë fatin tonë në këtë luftë

TIRANË, 16 mars/ATSH/ Prefekti i qarkut Lezhë, Gjok Jaku u bëri thirrje sot qytetarëve të të gjitha moshave, që të evitojnë në maksimum daljet jashtë, ndërsa theksoi se janë dy javë që përcaktojnë fatin tonë në këtë luftë kundër COVID-19″.

“Për shkak të angazhimit tim ligjor dhe moral, më duhet të dal në punë, në ndjekje e monitorim të situatës. Punonjësit e shërbimit shëndetësor, prefektura, strukturat e bashkisë, policia e shtetit, janë të detyruara e të angazhuara maksimalisht në realizimin e detyrave ligjore, me detyra të shtuara në këto kohë”, tha ai.

Ndëkohë Jaku tha se “sot konstatoi një prezencë të shtuar njerëzish në rrugë, dhe aspak njerëz që nxitonin për punë, por në lëvizje kaotike, xhiro ‘për shtatë palë qejfe’, të të gjitha kategorive të moshës”.

“U ndjeva keq, shumë keq! E gjithë bota mbarë është në alarm të kuq nga sulmi vrastar i koronavirusit, që po merr pamëshirshëm jetë njerëzish. Mjekët e specialistët e fushës janë 24 orë në punë, po flasin për rrezikun, nga i cili askush nuk është imun. Po na bëjnë me dije se si të mbrojmë veten e t’ju vijmë dhe atyre në ndihmë. Si mund të injorojmë këtë luftë të tmerrshme me neglizhencën e padurimin tonë?!”, tha Jaku.

Ai theksoi se “jemi të gjithë në një rrezik real dhe aspak imagjinar”. “Ju lutem të bëni durim duke qëndruar në shtëpi, sepse janë dy javë që përcaktojnë fatin tonë në këtë luftë. T’mos ‘digjet i njomi për të thatin”, tha ai.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.