COVID-19/ Gjata: Mundësia më e mirë që ka Shqipëria është që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi

TIRANË, 16 mars/ATSH/ TIRANË, 16 mars /ATSH/- Koordinatori Kombëtar i taskforcës për Burimet Njerezore, njëherazi Rektor i Universitetit të Mjekësise, Arben Gjata u shpreh se  masat që janë  marrë në zbatim të rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe kapacitetet e spitaleve tona, kanë mundësnë e përballimit të situatës së krijuar nga koronavirusi.

Gjatë një interviste televizive, Gjata tha se “janë krijuar dy taskforca një prej të cilave merret me koordinimin e shërbimit të anestezive në rang kombëtar dhe tjetra është për burimet njerëzore. Kemi  filluar një program trajnimi për të gjithë stafin spitalor, në mënyrë që të dimë se kush janë shenjat dhe të mos jemi të papërgatitur”.

Duke folur për situatën aktuale, ai  tha se, “në reanimacion janë tre persona. Qëndrimi im ka qenë për masa ekstreme që ditën e parë, të cilat  sot janë të  tilla dhe po zbatohen nga të  gjithë, me përjashtim të atyre hallkave që  janë të domosdoshme për t’ i shërbyer shoqërisë, si furrat e bukës apo njësitë e fruta-perimeve. Mundësia e vetme dhe më e mirë që ka Shqipëria është që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi”.

Gjithashtu ai shpjegoi se maskat e thjeshta kirurgjikale nuk janë për të mbrojtur personin, por janë për të mbrojtur të tjerët.

Gjata u shpreh se, Shqipëria ka 9 mijë shtretër dhe shërimi i të prekurve kërkon tre javë.

Ndërsa, përsa i takon zgjedhjeve në universitet të parashikuara për t’u mbajtur më 8 maj, Gjata tha se  ato  do të shtyhen në një moment të  dytë për shkak të situatës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.