Koronavirusi/ PD shpërndan analizën e dr. Mirela Tabakut: Të shtohen fondet për sete mbrojtëse për stafet mjekësore

TIRANË, 15 mars /ATSH/ Partia Demokratike shpërndau sot një analizë të doktoreshë Mirela Tabakut, ku ajo kërkon sqarimin e situatës për diagnostikim e të dyshuarve me koronavirus dhe shtimin e fondeve për tamponë, kite dhe për sete mbrojtëse për stafet mjekësore.

Tabaku flet për kapacitete të vogla duke thënë se në 24 orët e fundit janë testuar vetëm 27 persona të dyshuar. Sipas saj, qëndrimi që po mbahet ndaj personave që paraqesin ankesa, “po arrinë kufijtë e jonjerëzores”.

“Numri i personave që paraqesin ankesa rritet, numri i të testuarve pakësohet. Çfarë po ndodh? Mungojnë tamponet, mungojnë kitet për t’i analizuar më pas mostrat që merren”, tha Tabaku

Sipas saj, merren mostra nga një numër shumë i kufizuar i personave sipas disa kritereve të përcaktuara, kur zyrtarisht po deklarohen raste pozitive që madje, nuk i përmbushin këto kritere.

“Numri i personave të infektuar, – thotë kryeministri, – do të rritet shumë”, por çfarë po bëhet për t’i diagnostikuar ata?” – pyet Tabaku në analizën e saj.

“Bazuar nga praktikat më të mira të vendeve që po e kalojnë këtë epidemi, ne besojmë se në këtë situatë duhet të vlerësohen seriozisht të gjithë njerëzit që kanë simptoma të prekjes së rrugëve të frymëmarrjes”, – tha ajo.

“Duhet nxituar, mosveprimi do të ishte një gabim me pasoja të rënda”, – tha Tabaku.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.