COVID-19/ Rastet do shtohen dy javët në vijim, ta pranojmë të vërtetën pa panik

TIRANË, 15 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “në dy javët në vijim do të vijnë duke u shtuar numrat e të prekurve nga koronavirusi dhe rastet e vështira, të cilat duhet t’i presim pa asnjë panik”.

“Java që vjen dhe tjetra pas saj do të vijnë me numra të rritur. Dikush i quan në një artikull 2 javët e ngritjes të furtunës, prandaj duhet të jemi të përgatitur që t’i presim rezultatet e testeve dhe rastet e vështira sidomos që do të shtohen, pa asnjë panik”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “duhet ta dimë të vërtetën, ta pranojmë atë siç është dhe të jetojmë me të me vetëdije çdo ditë”.

“Kam lexuar komentet tuaja kur më thoni se bëj gabim që flas për të keqen që do të na zmadhohet para syve në javët në vijim. Disa thonë se po i tremb, po i shqetësoj dhe po ua nxij jetën me pesimizmin tim. Unë nuk jam pesimist, asnjëherë dhe as këtë herë, por nuk më lejohet të mos ju them të vërtetën sado e papëlqyeshme të jetë dhe aq më tepër kur e vërteta lidhet me ju, me familjen tuaj, me popullin tonë pa përjashtim për asnjë shqiptarë si sot”, tha ai.

Rama tha se “duhet ta dimë të vërtetën aq më shumë në ditët e gjata të kësaj lufte që nuk do të jetë e shkurtër dhe do të na i bëjë javët të duken si vite dhe muajin të na duket si një shekull”.

“Duhet të bëjmë të gjitha ato që jemi të detyruar të bëjmë për të mbrojtur trupin tonë, të familjarëve dhe miqve tanë dhe të gjithë bashkë trupin e Shqipërisë, qelizat e të cilës jemi ne vetë”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.