Parandalimi i COVID-19/Policia: Mbyllen për 14 ditë pikat e kalimit kufitar me Kosovën, lejohen vetëm qytetarët që duan të kthehen

TIRANË, 14 mars /ATSH/ –Pikat e kalimit kufitar me Kosovën do të mbyllen për 14 ditë, për arsye të parandalimit të COVID-19.

Policia Kufitare njoftoi sot të gjithë qytetarët  se pikat e kalimit kufitar me Kosovën do të mbyllen për 14 ditë, për arsye të parandalimit të COVID-19.

“Duke filluar prej orës 10:00 të datës 14.03.2020, nuk do lejohet asnjë automjet dhe asnjë shtetas të hyjnë në Kosovë dhe anasjelltas’, thuhet në njoftimin e Policisë Kufitare.

“Do të lejohen të hyjnë në Kosovë, shtetasit kosovarë që janë në Shqipëri dhe duan të kthehen në Kosovë, si dhe do lejohen të hyjnë në Shqipëri, shtetasit shqiptarë që janë në Kosovë dhe duan të kthehen në Shqipëri. Do të lejohen ambulancat, lëvizja e mallrave dhe makinave qeveritare”, thekson Policia Kufitare.

“Ky vendim i palës kosovare është marrë për të gjithë kufirin e Kosovës, jo vetëm për kufirin me Shqipërinë”, shton Policia Kufitare.

“Policia Kufitare kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të anullojnë lëvizjet e planifikuara dhe ata që ndodhen duke lëvizur në drejtim të Morinës, të kthehen mbrapa, pasi nuk do lejohen të kalojnë, thotë Policia Kufitare.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.