Masat ndaj COVID-19/ Përgatitet akti normativ, qarkullim i autorizuar me fasha orare, shkelësve u hiqet patenta për 3 vjet

TIRANË, 14 mars/ATSH-A. Fortuzi/- Kryeministri Edi Rama, njoftoi të shtunën në mbrëmje se nesër publikohet akti normativ i qeverisë ku parashikohen masa të ashpra për ata që nuk respektojnë kufizimet e qarkullimit rrugor, të cilat do të vijojnë edhe nga e hëna e në vijim, në kuadër të masave të marra nga qeveria për minimizimin e përhapjes së COVID 19.

Kështu, ditën e hënë e në vijim, do të mund të qarkullojnë me automjete vetëm deri në orën 08.00 të mëngjesit dhe nga ora 16.00 deri në orën 17.00 të pasdites të gjithë ata që ditën e hënë dhe në vijim do të jenë të angazhuar për punë, në sektorin publik apo privat.

“Sapo kemi mbaruar konsultimet e qeverisë në distancë! Të gjithë ata që ditën e hënë dhe në vijim do të jenë të angazhuar për punë, në sektorin publik apo privat, do të mund të qarkullojnë me automjete vetëm deri në orën 08.00 të mëngjesit dhe nga ora 16.00 deri në orën 17.00 të pasdites qarkullimi i automjeteve që nuk janë pjesë e shërbimeve shtetërore në lëvizje apo shërbimeve private që e kanë të domosdoshme lëvizjen, do të jetë e ndaluar rreptësisht për çdo automjet tjetër jashtë fashave të lejuara për vajtja/ardhje në punë”,- theksoi Rama.

“Shkelja e regjimit të qarkullimit të imponuar nga kushtet e luftës me armikun e padukshëm që kërkon pengje në familjet tona, do të ndëshkohet me heqjen e patentës së drejtimit per 3 vjet dhe sekuestrimin e automjetit!”,- vijoi Rama.

“Qeveria do të publikojë nesër aktin normativ për masat e veçanta administrative që do të hyjnë në fuqi menjëherë, deri në përfundimin e kësaj lufte për të mbrojtur sa më fort jetën e çdo shqiptari. Frikë aspak, kujdes po!”,- nënvizoi kryeministri Edi Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.