Kuvendi i Kosovës mblidhet në seancë të jashtëzakonshme

Kurti: Po mbajmë sot seancë për buxhetin, sepse nuk kemi garanci nëse mund ta mbajmë atë në javët në vazhdim

PRISHTINË, 14 mars /ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar sot nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, i cili është mbledhur në seancë të jashtëzakonshme, që deputetët të kalojnë sot buxhetin për vitin 2020 dhe të përkrahin mocionin e deputetëve të Vetëvendosjes për procedurë të përshpejtuar.

Ai ka thënë se po mbahet kjo seancë e jashtëzakonshme për buxhetin, meqë nuk janë të sigurt nëse mund të zhvillohen seancat në ditët dhe javët në vazhdim, për shkak të situatës së përhapjes së koronavirusit.

“Ne nuk do të dëshironim që gjithçka të ndodhte brenda një dite, por kemi konsideruar që është e nevojshme të mblidhemi sot edhe pse është e shtunë, meqenëse nuk ka garancion që do të mund të mbajmë seanca në javët apo ditët në vijim, sepse nuk e dimë se çfarë do të ndodh me përhapjen e koronavirusit. Edhe kështu qysh jemi në këtë sallë në fakt, jemi në kundërshtim me rregullat, të cilat ne vetë i themi për shkak të rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike”, tha Kurti.

Ai tha se nuk mund të bëhet një buxhet emergjent për luftimin e koronavirusit, nëse nuk miratohet paraprakisht buxheti i ri 2020.

“Nuk mund të kemi një buxhet emergjent, pa e pasur buxhetin e ri, na nevojitet buxheti 2020 dhe vetëm me pas ne mund të kemi buxhet emergjent. Edhe ashtu në muajin mars jemi më 1/12 e buxhetin”, shtoi Kurti.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka dhënë sqarim se propozimi nuk është që të ndalet debati, por vetëm përshpejtimi i procedurave tjera.

“Propozimi nuk është për me ndal debatin, pra debat do të kemi sot sa të doni, vetëm për me i përshpejtuar procedurat e tjera”, tha ajo.

Kreu i grupit të deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi i ftoi krerët e grupeve parlamentare për një diskutim të shkurtë rreth kërkesës së tij për mocion. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.