Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Mynih pezullon të gjitha takimet me publikun, deri në 31 mars

TIRANË, 14 mars /ATSH/ –Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Mynih pezullon të gjitha takimet me publikun, prej datës 16 mars deri në 31 mars 2020.

“Të nderuar qytetarë! Ju vemë në dijeni se në vijim të situatës së jashtëzakonshme të përhapjes së Covid-19 në Gjermani, si dhe të masave tepër të veçanta të ndërmarra nga qeveria e landit të Bavarisë mbi kufizimin dhe mospërhapjen në popullatë të këtij virusi të rrezikshëm për jetën, Konsullata e Përgjithshme e RSH në Mynih, pezullon të gjitha takimet me publikun, prej datës 16 mars deri në 31 mars 2020!, thuhet në një njoftim të Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Mynih.

“Të gjitha takimet e planifikuara në këto data do të shtyhen. Njoftimet për datat e reja të takimeve do ju dërgohen në vijim, me anë të postës elektronike, nga konsulli përkatës, thekson Konsullata.

“Përjashtim nga ky njoftim përbëjnë vetëm rastet tepër të veçanta, të lëshimit të Lejeve të Kalimit për personat e bllokuar ne kufij apo aeroporte, si dhe Lejet e transportit për shërbimet funerale, thekson Konsullata.

“Urojmë për ju dhe familjet tuaja, tejkalimin me kurajë dhe me masa mbrojtëse të kësaj situate të jashtëzakonshme, si dhe kthimin sa më parë në veprimtarinë normale të punës dhe të jetës!”, thekson Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Mynih.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.