COVID-19/Kurbin, Cara për ATSH-në: Vijon dezinfektimi i ambienteve publike, të gjitha njësitë ekonomike të mbyllura

TIRANË, 14 mars/ATSH/ Bashkia e Kurbinit po vijon zbatimin e masave me rigorozitet për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Sot është dita e dytë e ndalimit të qarkullimit të transportit publik dhe atij privat dhe kryetarja e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara bën të ditur për ATSH-në se po zbatohen të gjitha udhëzimet për situatën.

Cara shprehet se po kryhet dezinfektimi i të gjitha ambietneve publike, rrugëve lulishteve, ëparqeve, shkollave dhe të gjitha institucioneve.

“Inspektorët kanë verifikuar në terren të gjitha njësitë ekonomike, baret restorante dhe dyqanet. Të gjitha janë të mbyllura. Po veprojnë vetëm dyqanet ushqimore”, bën të ditur Cara.

Kryetarja e bashkisë Kurbin, apelon qytetarët të bashkëpunojnë për të bërë të mundur frenimin e përhapjes së virusit.

“Do i kërkoja çdo qytetari të jepte kontributin e tij në këtë aspekt, duke evituar në maksimum daljet e panevojshme”.

Ajo nënvizoi se po punohet me drejtues të njësive administrative dhe ISHP që të komunikojnë me te gjithë të ardhurit ditët e fundit nga Italia dhe Greqia duke monitoruar nëse ata po vetkarantinohen për një periudhë 14 ditore.

“Të gjithë personat me histori udhëtimi në Itali e Greqi si dy zona të kuqe janë të skeduar të gjithë nga sistemi TIMS. Nga strukturat e bashkisë, shëndetësisë dhe shërbimit policor është kërkuar përditësim orë pas ore për situatën e tyre shëndetësore dhe nëse vazhdojnë të jenë të vetëizoluar”, tha ajo.

Edhe urdhëri për ndalimin e qarkullimit të tranportit publik e privat po zbatohet me seriozitet nga qytetarët. “Në qytetin e Kurbinit nuk ka makina në qarkullim përveç mjeteve të transportit që janë të lejuara”, tha ajo./a.gjonaj/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.