Anulimi i festimeve për Ditën e Verës, bashkia e Elbasanit: Shumë i rëndësishëm shëndeti i të gjithëve

TIRANË, 14 mars/ATSH/ Elbasani do të kthehej këtë 14 mars në epiqendrën e festimeve të festës pagane të Ditës së Verës, e cila u anulua në kuadër të frenimit të përhapjes së sëmundjes së koronavirusit.

Edhe pse mungesa e festimeve në Elbasan ndihet, bashkia e Elbasanit thotë se shëndeti i të gjithëve është shumë i rëndësishëm.

“Këtë Ditë Vere, mijëra njerëz kishin menduar ta festonin në Elbasan për t’u argëtuar me aktivitetet e parashikuara, për të shijuar gatimet tradicionale, për të vizituar pikat turistike të Elbasanit.
Pa dyshim, do merrnit me vete edhe ballokumet e shijshme të amvisave tona. Sa bosh duket shtëpia jonë pa të gjithë ju, miqtë tanë, që nuk na mungoni asnjë vit. Por shëndeti i të gjithëve ne është shumë i rëndësishëm. Gëzuar Ditën e Verës dhe shëndet në familjet tuaja! Festojmë në shtëpi”,- informon bashkia e Elbasanit.

Vitin e ardhshëm, bashkia e Elbasanit premton një festë shumë më të madhe seç ishte planifikuar këtë vit. /z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.