Koordinatori i OKB në Tiranë, Williams: Qeveria shqiptare mori masat e duhura në kohën e duhur

TIRANË, 13 mars /ATSH/ Koordinatori i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Tiranë, Brian J. Williams, i ka vlerësuar si të drejta dhe në kohën e duhur masat e marra nga qeveria shqiptare për të parandaluar përhapjen e virusit COVID-19 në Shqipëri.

“Po, është e drejtë. Ne i mbështesim këto masa. OBSH është pjesëmarrëse e Taksforcës së qeverisë për COVID-19, ne besojmë se mund të ketë raste të tjera. Periudha e inkubimit është 14 ditë. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mendojmë se mund të ketë pasur raste dhe para atij të identifikuarit zyrtarisht. Masat u morën shpejt”, tha ai në një intervistë televizive.

I pyetur nëse masat janë marrë në kohën e duhur apo duhet të ishin marrë më përpara se të mbërrinte COVID-19, Williams shtoi se, “ky virus është i ri, nuk është se e njohim shumë. Deri para pak javësh askush nuk shqetësohej. Çdo ditë mësojmë dhe më shumë. Po të mendoje se mund të mbyllje gjithçka në Tiranë do të ishte e vështirë. Kur shikon vendet e tjera, thua ‘nuk qenka çmenduri’. Mund të ishte bërë 1-2 ditë më para, ndoshta. Por filluan ta marrin seriozisht direkt. Distancimi social është gjëja që duhet bërë. Duhet të ulim kontaktin nga personi në person. Vendimi u mor shumë shpejt”.

“Ka shumë të bëjë me psikologjinë e shoqërive, mënyra si reagojnë. Virusi është një virus i ri. Askush nuk e kishte idenë si do reagonte. Si do ishte kur prekje një sipërfaqe. Në fillim kur dëgjon diçka nuk je i sigurt ta besosh apo jo. Izolimi i disa personave nuk do ketë shumë impakt, puna është ta bëjnë të gjithë. Është momenti i përshtatshëm për një lloj uniteti kombëtar”, tha ai.

“Gjëja më e rëndësishme që po bën OKB-ja është bashkëpunimi me OBSH. Ata po e këshillojnë qeverinë shqiptare. Një nga këshillat kryesore të OBSH është pikërisht kjo, mos shko tek doktori, shko në shtëpi, telefono 127. OBSH ka punuar. Është më shumë çështje asistence teknike. Është njohuria ajo që ndihmon më shumë. Është në dorën e qytetarëve. Është momenti të ndjekim këshillat që japin. Ndiqni udhëzimet, theksoi Williams.

Williams, tha se ashtu si të gjithë shqiptarët ka zbatuar masat duke punuar nga shtëpia. “Virusi shikon pak se ku je. Nuk dallon çfarë kombësie je. Unë jetoj këtu si rezident i privilegjuar. E shikoj situatën po njësoj. Unë jam në shtëpi me fëmijët. Sa i përket punës ne mbështesim masat e marra nga qeveria shqiptare për të rritur distancën sociale që të mos përhapet virusi”, deklaroi ai.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.