Kokoneshi për ATSH: Kemi përfunduar dezinfektimin e institucioneve dhe ambienteve publike, po identifikohen personat e ardhur nga Italia apo Greqia

TIRANË, 13 mars/ATSH/ Bashkia e Divjakës ka marrë të gjitha masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Kryetari i bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi, në një prononcim për ATSH-në shprehet se kemi ngritur komitetin e emergjencës në përbërje të të cilit janë përfaqësues nga bashkia, polica, qendrat shëndetësore si dhe struktura të emergjencës civile, si dhe kemi hartuar një program pune për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

“Menjëherë pas urdhrit të Kryeministrit kemi ngritur komitetin e emergjencës si dhe kemi hartuar programin e punës me masa për minimizimin e përhapjes së COVID-19”, tha Kokoneshi për ATSH.

Sipas tij, aktualisht është kryer procesi i dezinfektimit të të gjitha institucioneve publike si shkolla, kopshte, çerdhe, ambiente publike etj.

Njëkohësisht tha ai, janë urdhëruar të gjithë kryepleqtë dhe administratorët e pallateve të bëjnë evidentimin e personave që janë kthyer nga Italia, apo Greqia, si dhe për informimin e tyre për tu vetkarantinuar për një periudhë 14-ditore.

Në këtë drejtim, Kokoneshi shtoi se po punohet edhe me strukturat e policisë vendore. /a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.