COVID-19/ Rama paralajmëron: Mos shfrytëzoni hapjen e perimetrit të sigurisë për t’u larguar, mund të mos rihyni dot

TIRANË, 13 mars/ATSH-A. Fortuzi/ Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se mund të ketë sërish mbyllje të perimetrit të sigurisë edhe pas ditës së diel.

Kryeministri Edi Rama, përmes një mesazhi të publikuar të premten pasdite u shpreh se “kush banon në Tiranë/Durrës dhe është larguar për fundjavë të gjatë në Korçë ose gjetkë, të sigurohet të hyjë në perimetrin e blinduar gjatë hapjes së rrugëve hyrëse, pas mesnatës të së dielës dhe jo më vonë se ora 08:00 e mëngjesit”, – tha Rama.

“Kush banon në Tiranë/Durrës dhe është aktualisht brenda perimetrit, të sigurohet që të mos planifikojë lëvizje jashtë perimetrit në fillimjavën e ardhshme (duke shfrytëzuar hapjen e rrugëve nga e diela në mesnatë deri të hënën në 08:00), sepse mund të mos rihyjë dot!” – shtoi Rama.

“Sipas të gjitha gjasave perimetri Tiranë-Durrës do të mbyllet përsëri! Frikë jo, kujdes po!”, – nënvizoi Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.