Pezullohet puna në kompanitë fason e “Call Center”/ Rama: Nëse nuk zbatojnë detyrimet në mbrojtje të punonjësve, do marrin përsipër koston e mbylljes


TIRANË, 12 mars /ATSH-Gjergji Mima/ Kryeministri Edi Rama në një mesazh drejtuar sot qytetarëve u shpreh se “kjo masë e skajshme për t’i dalë përballë në një hap tjetër kësaj sfide dhe për ta ngadalësuar shtrirjen e armikut në territor dhe nëpër organizmat tona do të pasohet nga të tjera”.

Por, Rama ka theksuar se, “sot kemi ndërmarrë një sërë inspektimesh në kompanitë fason dhe ‘Call Center’”, të cilat do të jenë të mbyllura njësoj si të tjerat nesër dhe deri në fund të këtij afati, por janë të detyruara të respektojnë të gjitha distancat teknike të sigurisë dhe të gjithë elementët e sigurisë për çdo punonjës”.

“Në rast se kur të rifillojnë aktivitetin do të konstatohet se nuk kanë kryer të gjitha detyrimet për të mbrojtur veten, punonjësit dhe të gjitha familjet dhe kontaktet e tyre, jo vetëm që do të mbyllen, por do të marrin përsipër kompanitë çdo kosto të kësaj mbylljeje, sepse në këtë rast është thjesht dhe vetëm neglizhenca e tyre dhe jo një mbyllje për një forcë madhore të paktën në këtë fazë të planit për zmbrapsjen e këtij armiku që na kërcënon, por të cilin ne do ta mundim duke qenë bashkë, duke mos u ndarë në asnjë palë, duke mos e parë asnjë ndarje mes qytetarit dhe shtetit”, u shpreh Rama.

“Qytetar dhe shtet sot jemi një popull, i cili për bëhet nga familje dhe nga anëtarë të këtyre familjeve që kudo ku kontribuojnë në jetën e përditshme, nën uniformën e policisë, nën uniformat e tjera të sigurisë, nën uniformën e mjekëve dhe të infermierëve në sektorin publik apo privat janë njësoj të prekshëm dhe janë njësoj të detyruar të bëhen bashkë për ta larguar një orë e më parë rrezikun që i kërcënon të gjithë. Me besim, me besim, me besim. Me disiplinë, me disiplinë, me disiplinë dhe me durim, me durim, me durim. Ne do t’ia dalim dhe kjo nuk është një fjali e radhës në fund të një mesazhi të radhës, por është bindja ime e thellë që e ndaj me ju me sinqeritetin më të madh dhe me vendosmërinë më të madhe edhe unë si njëri prej jush si qytetar, prind, bir i një nëse dhe padyshim pjesë e një familjeje, të cilën e dua pafund dhe të cilën do të bëj çmos deri në fund që ta mbroj duke mbrojtur veten, duke mbrojtur ata dhe duke mbrojtur këdo tjetër që do të kisha shumë dëshirë ta përqafoja, por të cilit nuk i afrohem sepse nuk dua që të jem unë shkaku që të përcjell virusin që tek të tjerët mund të kthehet në një problem shumë të madh, apo që përmes meje të tjerë të përcjellin virusin që tek më të moshuarit në familjen tonë të kthehet në një problem shumë më të madh”, tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.