Pezullohet peligrinazhi i të Martave të Shenjta të Shën Ndojit në Kishën e Laçit

TIRANË, 12 mars /ATSH/ –Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë ka shpallur sot një dekret e rreth pezullimit të të gjitha veprimtarive kishtare deri në date 3 prill 2020, në të gjithë territorin e Shqipërisë për sa i përket Kishës Katolike.

Në apelin sensibilizues dhe ndërgjegjësues, njoftohen edhe besimtarët e shumtë për pezullimin edhe të Martave të Shenjta të Shën Ndojit në Kishën e Laçit.

Janë 13 të marta që respektohen nga besimtarët për të mbërritur deri në ditën e Shën  Ndout, por Kisha Katolike apelon që besimtarë të bëjnë lutjet nga shtëpitë e tyre.

Konferenca Ipeshkvore thekson se, ky dekret ka të bëjë me të gjitha Kishat përfshi edhe dy shenjtëroret Kishën e Laçit ku pezullohen të gjitha pelegrinazhet dhe Shenjtëroren e Zojës së Shkodrës.

Famullitarët do të kremtojnë Meshën në kapelat e tyre, duke e transmetuar atë edhe online nëpërmjet rrjeteve sociale.

Gjithashtu,  famullitarët do të garantojnë marrjen e Kungimit për të sëmurët që e kërkojnë në shtëpi dhe për ata të pranishëm, gjithmonë duke ruajtur rregullat e vendosura nga organet e shëndetësisë.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.