Mesazhi nga personeli i Spitalit Infektiv: Jemi sërish të njëjtët veçse në një mision të vështirë, bashkë do ia dalim

TIRANË, 12 mars /ATSH/ “Krenare për mjekët dhe infermierët në frontin e parë të përballjes me COVID-19”, tha mbrëmjen e sotme ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndërsa përcolli mesazhin e një infermiereje të Spitalit Infektiv në Tiranë.

“Për të gjithë ju që na shihni çuditshëm kur ne futemi te godina e Spitalit Infektiv, të kthyer në karantinë tashmë. Jemi ne infermieret, mjeket, sanitaret ato që kemi qenë gjithmonë në shërbimin tuaj veçse tani ka ndryshuar uniforma jonë. Por ne jemi sërish të njëjtët veçse në një mision të vështirë që të gjithë ju s’do e kuptoni!  Ne jemi më të rrezikuarit nga të gjithë, në rrezik është dhe familja jonë ndaj Ju lutem mos na shihni çuditshëm e mos na pyesni si ia dalim! Se ne të gjithë bashkë ia dalim dhe të gjithë bashkë do dalim shëndoshë e mirë nga ky mision! Me mbështetjen e madhe të shefes sonë prof. Najada Çomo do ia dalim jam e bindur per kete!

Ju lutem ju qëndroni në shtëepi! Ama ne nuk mundemi ! Lutem për stafin tim, per kliniken e parë të Spitalit Infektiv”, thuhet në mesazhin e infermieres.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.