Masat e reja shtrënguese në qarkullimin e mjeteve/ Si do të lëvizin kategoritë e lejuara

TIRANË, 12 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama sqaroi sot mënyrën se si qytetarët mund të dërgojnë të dhënat në polici, për kategoritë që do të lejohet të lëvizin nesër.

Rama tha se personi i kërkuar nga kompania, me dokumentin e identifikimit dhe kopjen e thjesht në letër të emailit që i ka dërguar Policisë së Shtetit, duhet ta paraqesë në rats se ndalohet nga postblloku përkatës dhe e ka plotësisht të lehtë të kalojë.

“Do të shohin nesër funksionimin për t’ia bërë të lehtë jetën edhe kompanive, institucioneve dhe njerëzve dhe për të mos krijuar një sistem të komplikuar”, tha Rama.

Ai theksoi se “do të ndiqet e njëjta mënyrë edhe për të gjitha shërbimet e medies. “Të gjitha kompanitë mediatike që ofrojnë shërbime audiovizuale në adresën e Policisë Rrugore asp.gov.al kërkesën me të gjithë emrat”, tha Rama.

Ai tha se “edhe qarkullimi i automjeteve të personave me sëmundje kronike, që kanë të planifikuar terapi në spital me dokumentin e nevojshëm për trajtimin e tyre është i hapur natyrisht”.

Rama tha se “e njëjta gjë është edhe për personat që bëjnë kujdes social me të moshuar dhe janë në marrëdhënie private me familje të ndryshme, duhet të kenë një vërtetim shumë të thjesht nga mjeku”, shtoi Rama.

Për sa i përket vajtje-ardhjeve në aeroportin e Rinasit, Rama tha se drejtuesit e automjeteve duhet të kenë fotokopje të biletave të fluturimit të personave të atyre që presin apo largohen.

“Marrja në automjetin e punës nga këta persona që kanë lëvizje të lirë, të personave të tjerë të familjes apo që nuk kanë lidhje fare me detyrën është rreptësisht e ndaluar dhe do të sanksionohet”, tha Rama.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.