COVID-19/ Imeraj: Dibra mbyll transportin urban, qarkullim vetëm për autoambulancat dhe mjetet e shërbimit shtetëror

TIRANË, 12 mars/ATSH-A. Fortuzi/- Bashkia Dibër i është bashkuar nismës së qeverisë për të mbyllur qarkullimin e transportit urban dhe ndërurban nga Dibra drejt Tiranës  apo Durrësit deri të hënën.

Dionis Imeraj, kryetari i bashkisë Dibër, njoftoi të enjten se “në kuadër të përforcimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Nga e premtja në orën 06.00 deri të Dielën në mesnatë do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private dhe atyre të transportit ndërurban nga Dibra drejt Tiranës dhe Durrësit, si dhe anasjelltas. Qarkullimi do të jetë i hapur vetëm për autoambulancat, automjetet që kryejnë funksione shërbimi shtetëror dhe ato që transportojnë mallra. Prandaj, shmangni lëvizjet në këto drejtime”,- thekson Imeraj.

“Bashkëqytetarë, ju lutem evitoni daljet e panevojshme në shëtitoren “Elez Isufi” dhe të gjitha mjediset e tjera publike të hapura e të mbyllura!Mbroni veten, familjarët e miqtë ndaj koronavirusit! Është koha për përgjegjësi dhe kujdes të shtuar”,- shprehet Imeraj.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.