Banka e Shqipërisë vendime lehtësuese në interes të biznesit dhe të individëve

TIRANË, 12 mars /ATSH/ Banka e Shqipërisë është angazhuar për marrjen e vendimeve lehtësuese në interes të komunitetit të biznesit dhe të individëve

Presidenti Ilir Meta, me kërkesë të tij, priti sot paradite në një takim Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, për të diskutuar në lidhje me situatën e re të krijuar si pasojë e pandemisë së COVID 19, si dhe efektet e mundshme në ekonominë e vendit dhe në sektorin bankar.

Guvernatori Sejko e informoi Presidentin Meta se gjendja e sektorit bankar vazhdon të jetë likuide dhe e mirëkapitalizuar dhe se janë marrë të gjitha masat për një vazhdimësi normale të aktivitetit operacional me klientët.

“Banka e Shqipërisë është angazhuar për marrjen e vendimeve lehtësuese në interes të komunitetit të biznesit dhe të individëve. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka marrë në analizë situatën e krijuar, efektet e mundshme të saj në ekonominë e vendit dhe disponon instrumentat e nevojshëm në funksion të ruajtjes së parametrave  makroekonomikë dhe stabilitetit financiar në vend”, sqaroi Guvernatori Sejko.

Presidenti Meta vlerësoi punën e Bankës së Shqipërisë dhe shprehu besimin se do të merren në kohë të gjitha masat e nevojshme për të shmangur efektet negative, si në sektorin bankar, ashtu edhe në stabilitetin makroekonomik të vendit.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.