Ministria e Shëndetësisë: U testuan 84 të dyshuar, konfirmohen 3 raste të reja me COVID-19 kontakte të pacientit të parë

TIRANË, 11 mars /ATSH/ 50 mjekë dhe infermierë të spitalit të Durrësit rezultuan negativë në testin për COVID-19. Ndërkohë kanë përfunduar testimet pasditen e sotme për gjithsej 84 të dyshuar, nga të cilët, 3 kanë rezultuar pozitivë në Tiranë dhe janë kontakte të ngushta të pacientit të parë të konfirmuar me COVID-19.

Në total deri në këto momente, janë testuar 241 të dyshuar për COVID-19 dhe janë 15 persona të identifikuar pozitiv: Prej tyre, 12 kanë lidhje kontakti me rastin e parë të identifikuar dhe 2 janë raste të reja: 1 në Tiranë, një në Lushnjë, ndërsa një e moshuar 73- vjeçare ka ndërruar jetë mesditën e sotme në spitalin e Durrësit.

Gjendja shëndetësore e të prekurve paraqitet si vijon:
Katër persona janë të shtruar në spitalin Infektiv në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, ndërsa 10 prej personave të identifikuar COVID-19 pozitiv janë në vetizolim pa shenja klinike të infeksionit respirator. 104 persona, kontakte të personave të identifikuar me COVID-19 janë në vetëkarantinim.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.